Mou mendon PSG dhe Interin

27/10/2015 13:20

Duket se Jose Mourinho i ka ditët të numëruara te Chelsea. Sipas asaj që publikohet në portalin Espn.com, trajneri portugez nëpërmjet menaxherëve të tij, ka filluar të mendojë për gjetjen e një klubi tjetër për të mos qenë i papërgatitur në rast se drejtuesit e klubit londinez vendosin të zgjidhin kontratën me të përpara kohe.

Gjithnjë sipas ESPN, zgjedhja e parën për Mourinhon është PSG. Skuadra franceze është ndër të paktët klube që ka financa të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e tij, e sidomos potencialin për të fituar Ligën e Kampioneve.

Në të njëjtën kohë, një lëvizje e mundshme në drejtim të Ligue 1 i jep mundësinë Mourinho-s që të bëhet trajneri i dytë pas Tomislav Ivic që të fitojë kampionate në 5 liga të ndryshme europiane, gjithmonë nëse do ta arrijë këtë me kryeqytetasit francezë.

Ndërkaq, mësohet se një tjetër alternativë për Mou është edhe Interi. Tifozët e klubit zikaltër nuk e kanë harruar aspak portugezin, i cili në vitin 2010 e drejtoi Interin drejt fitores së Serisë A, Ligës së Kampioneve dhe Kupës së Italisë.

Ndërsa përsa i përket Chelsea-t, ESPN bën të ditur se drejtuesit e kampionëve të Anglisë po mendojnë për një rikthim të Ancelotti-t, ndërkohë që dëshira e Abramovic është Pep Guardiola, por ky i fundit duket se nuk ka asnjë interes për t’u transferuar në Stemford Bridge.

Top Channel