NBA ngre siparin, të gjithë kundër Golden State

27/10/2015 11:10

Këtë mbrëmje ngre siparin kampionati më i bukur në botë i basketbollit, NBA, që është në edicionin e tij të 70-të.

Festimet për këtë vit jubilar do të bëhen duke nderuar kampionët e Golden State Warriors, që do të jenë ata që duhen mundur në këtë sezon të ri.

Golden State do ta nisin mbrojten e titullit të tyre me sfidën ndaj New Orleans Pelicans, ndërkohë që përballja që bie më shumë në sy në këtë ditë të parë është pikërisht ajo mes Chicagos dhe Cleveland, që brenda saj ka edhe minisfidën mes Paul Gasol dhe LeBron James.

Por Golden State nuk do ta ketë të lehtë të përsërisë suksesin e vitit të kaluar. Warriors ndodhet në Konferencën e Perëndimit, ku ka shumë skuadra që do të kërkojnë ta zbresin nga froni, siç janë Memphis, Oklahoma City apo San Antonio, ndërsa në Konferencën e Lindjes gjërat duken se janë më të qarta me Cleveland dhe Chicago, që shihen si favoritet, pa harruar këtu as Washington, Atlantan dhe Miamin.

Në fakt, presioni më i madh në këtë Konferencë është mbi Cleveland, i cili nuk feston një titull sportiv që nga viti 1954. LeBron James deri tani ka arritur të regjistrojë pjesëmarrjen në 6 finale të NBA, 4 nga të cilat i ka humbur.

Sezoni i rregullt i NBA-së do të përfundojë në 13 prill të 2016 dhe skuadrat do të luajnë 82 ndeshje. Në 16 prill do të nisë faza e “Play Off”, ndërsa në 2 qershor është parashikuar të fillojnë ndeshjet e finales së madhe.

Më 14 shkurt do të zhvillohet “All Star Game”, që për herë të parë do të luhet jashtë SHBA, në Air Canada Center të Torontos.

Top Channel