Rusia edhe një herë është distancuar nga vatrat e shpërthimit të tensioneve pas të cilave dyshohet se mund të jetë dora e saj. I fundit i listës së vendeve ku për situatën e përshkallëzuar befas Kremlini ka hedhur sytë është Mali i Zi.

Kryeministri Milo Gjukanoviç e akuzoi pak ditë më parë Moskën se mbështet opozitën malazeze në valën e protestave të saj për shkak se kërkon të ndalojë anëtarësimin e vendit në NATO.

Presidenti rus reagoi sot nëpërmjet zëdhënësit të tij, Dmitry peskov, duke i hedhur poshtë dhe duke i cilësuar si “mjaft të çuditshme” pretendimet për një përfshirje të Rusisë në trazirat e javëve të fundit.

“Pati ca deklarata të habitshme javën që shkoi dhe ne po reagojmë ndaj tyre në të njëjtën mënyrë si edhe ju. E thatë vetë se qenë pohime mjaft të pazakonta”, ishte përgjigjia e Peskov ndaj pyetjes se si i sheh pretendimet e Gjukanoviç.

“Duhet ta keni të qartë se për shumë vende ka ikur ajo kohë kur e keqja shihej gjithandej dhe për çdo gjë demonizohej Rusia. Të shpresojmë se në fund mendimi praktik do të triumfojë”, shtoi zëdhënësi.

Gjukanoviç, politikani pro-europian më jetëgjatë në qeverisje, nuk i pranon akuzat e demonstruesve për korrupsion dhe mendon se pas tyre nuk fshihet gjë tjetër veçse një komplot për rrëzimin e tij.

Njeriu që e ka drejtuar vendin e vogël me 600.000 banorë herë si kryeministër e herë si president, ka ditur gjithmonë të përshtatet me frymën e kohës duke u shfaqur në fillim si funksionar i ri komunist, më pas bashkudhëtar i autokratit Slobodan Millosheviç, si ideolog i shkëputjes së vendit nga Serbia dhe në fund partner i Perëndimit, që kërkon ta fusë Malin e Zi në BE dhe NATO.

Kundërshtarë të tij ka në të gjitha shtresat dhe sondazhet tregojnë se përkrahësit e anëtarësimit dhe refuzuesit e tij janë në një garë të ashpër kokë më kokë. Ekspertët mendojnë megjithatë se gjithmonë e më shumë qytetarët po mendojnë në mënyrë më racionale për Aleancën e Atlantikut Verior.

Top Channel