Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Malin e Zi e dënoi ashpër dhunën, që shenjoi protestat e kësaj fundjave, ku mbetën të plagosur qytetarë, policë dhe gazetarë.

Përmes një deklarate për shtyp, misioni diplomatik i Uashingtonit në Republikën e vogël ish-Jugosllave e cilësoi një akt të dënueshëm shkatërrimin e pasurisë publike, duke përfshirë këtu edhe Ambasadën shqiptare në Podgoricë.

“Protestat e lira dhe të qeta janë themeli i demokracisë, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit. Të gjitha dallimet politike duhet të zgjidhen përmes dialogut konstruktiv në kuadër të institucioneve parlamentare dhe jo në rrugë”, – thuhet në deklaratën e lëshuar me këtë rast.

“Zëri i Amerikës” pohon se, pas demonstratave të opozitës që përfunduan në përplasje me policinë, situata në Podgoricë është e qetë, megjithatë shenjat e dhunës janë të dukshme te shkatërrimi dhe thyerjet e disa institucioneve e dyqaneve.

Të shtunën, forcat vendase të rendit përdorën gazin lotsjellës ndaj tubuesve, që tentuan të hynin me forcë në ndërtesën e Parlamentit. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme flasin për 30 të lënduar në radhët e protestuesve, e 15 të tjerë mes efektivëve të policisë.

Po ashtu, kanë përfunduar në pranga krerët e opozitës, Andrija Mandiç dhe Slaven Raduloviç, të cilët pritet të dalin përpara një gjykate në kryeqytet. Gjatë zhvillimit të protestave mbrëmjen e së shtunës, u qëllua me gurë dhe Ambasada e Shqipërisë në kryeqytetin malazez.

Ministria e Jashtme shqiptare reagoi, duke e dënuar sulmin. “I bëjmë thirrje autoriteteve të Malit të Zi, që të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e godinës së Ambasadës, për të siguruar aktivitetin e saj normal dhe integritetin e personelit, si dhe për të nxjerrë përgjegjësit e këtij sulmi para drejtësisë”, – thuhej në deklaratën e Tiranës, ndërsa theksohej se “Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë kursin euroatlantik të rajonit”.

Tubuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Milo Gjukanoviç dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të kishte një përfshirje të gjerë të partive politike. Protestat e opozitës janë përshkallëzuar, në një kohë kur Mali i Zi mbetet kandidat për anëtarësim në BE dhe pritet që brenda vitit të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO.

Top Channel