Bie Skënderbeu, Partizani fiton dhe kryeson i vetëm

25/10/2015 00:00

Një javë për t’u harruar për skuadrën e Mirel Josës. Skënderbeu ka pësuar humbjen e dytë brenda 4 ditësh, kësaj radhe në kampionat, pasi është mposhtur në kryeqytet nga Partizani me rezultat 2-1.

“Demat e kuq”  tani kryesojnë të vetëm, me tre pikë më shumë se korçarët që zbresin në vend të dytë. Kjo ndeshje arsyetoi edhe epitetin e supërsfidës për atë që skuadrat dhuruan në fushën e lojës.

Partizani ndezi që në fillim “shkëndijën” me dy mundësi të Sukajt në minutën e 1 dhe të 3- me Shehin që pasi u driblua nga sulmuesi zgjati këmbën për të evituar golin. Ndërsa nga goditja e këndit, Batha, dhe pse i vetëm përballë portës, nuk arriti të shënonte.

Përkundës kësaj, Salihi realizoi një gol spektakolar, ku në minutën e 8 i dha epërsinë korçarëve me një roveshatë, gol që mund të jetë edhe i vitit.

Por, Partizani nuk u dorëzua dhe në minutën e 23, mbrojtësi gëzim Krasniqi barazoi rezultatin 1-1 me një gol të shënuar me kokë e këmbë bashkë. Kur luhej minuta e 34-t, një tjetër mbrojtës, kësaj radhe Labinot Ibrahimi me një goditje të fuqishme në hyrje të zonës i dha epërsinë Partizanit.

Skënderbeu u përpoq të reagonte para pushimit me Latifin që iu afrua golit në minutën e 41-të, megjithatë në dhomat e zhveshjes u vajt me Partizanin në epërsi.

Pjesa e dytë ishte jo vetëm spektakolare por dhe e luftuar, aq sa në minutën e 55-të, Olayinka në përpjekje për të goditur portën goditi Hoxhën, me futbollistët e Partizanit që iu hakërryen atij. Në të 70-n, të kuqtë rrezikuan dhe me Plakun, por shanset më të mira do t’i kishte Skënderbeu.

Katër minuta më pas Jashanica nuk përsëriti dot mbrëmjen e Lisbonës, këtë herë duke i mohuar vetes një gol të sigurtë, ndërsa në të 77-n, shpresat e korçarëve u përplasën në shtyllë, me Latifin që nuk mposhti Hoxhën për çështje centimetrash.

Top Channel