Vendet ballkanike në vijën e frontit të krizës së emigrantëve paralajmërojnë mbylljen e kufijve, nga frika se mund të kthehen në zona qëndrimi për të ardhurit e rinj.

Deri tani, kalimi i refugjatëve në rrugën e tyre migratore drejt veriut është lejuar nga shtetet e rajonit, për sa kohë destinacioni i tyre ishte i qartë, e dyert e vendeve ku këta duan të mbërrijnë vazhdojnë të mbeten të hapura.

Por, nëse kjo ndryshon, atëherë Serbia, Bullgaria e Rumania do t’i mbyllin pa hezitim kufijtë e tyre. Paralajmërimi, që tingëllon më shumë si kërcënim, vjen përpara bisedimeve mes shteteve ballkanike dhe anëtarëve të Bashkimit Europian.

Presidenti slloven, Borut Pahor deklaroi gjithashtu se, po nuk u gjet një zgjidhje, vendi i tij do të hidhet vetë në veprim, para se të jetë shumë vonë. Më herët, kryeministri Miroslav Cerar refuzoi të përjashtonte mundësinë e ngritjes së një barriere telash me gjemba përgjatë kufirit me Kroacinë.

Gjermania, deri më tani nuk ka lënë të kuptohet se nuk është e gatshme të presë emigrantë të tjerë. Megjithatë, Bullgaria po e ndjek situatën me vëmendje të madhe.

“Ne qëndrojmë në gatishmëri, që të mos i lejojmë vendet tona të kthehen në zona qëndrimi, nëse Gjermania dhe Austria mbyllin kufijtë. Në çdo moment, edhe ne do të jemi gati t’i mbyllim kufijtë tanë”, tha Boiko Borisov, kryeministër i Bullgarisë.

Homologu i tij slloven ishte në një linjë me shqetësimet e Borisovit, në pohimet e tij se Sllovenia nuk mund të kthehet në “xhep” për refugjatët, që mbeten në mes të rrugës, në rast se Austria dhe Gjermania do të refuzojnë pranimin e refugjatëve të tjerë.

“Suksesi i samitit, – shkroi Pahor në faqen e tij në Facebook, – do të matet pjesërisht me implementimin e kontrolleve më të rrepta, për t’iu ndaluar emigrantëve rrugëtimin nga Turqia drejt Greqisë”.

Edhe për kryeministrin kroat, Zoran Milanoviç, të tilla kontrolle janë e vetmja zgjidhje e kësaj krize të ngutshme. Çdo gjë tjetër është thjesht humbje kohe, u shpreh ai. Sipas të dhënave të organizatës ndërkombëtare të Emigracionit, mbi 9.000 emigrantë kanë mbërritur çdo ditë në Greqi javën e kaluar, niveli më i lartë ky i regjistruar deri më tani përgjatë gjithë këtij viti.

Top Channel