Sërish protesta në Malin e Zi, të shtëna dhe gaz lotsjellës

24/10/2015 00:00

Në republikën e Malit të Zi janë rikthyer tensionet. Në Podgoricë, prej orës 19:00 ka nisur protesta e paralajmëruar nga eksponentë të opozitës.

Opozita malazeze e Frontit Demokratik i kishte dhënë ultimatum kryeministrit Milo Gjukanoviç ditën e sotme për të pranuar një qeveri teknike, por refuzimi i tij ka sjellë manifestimin.

Turma, që sipas mediave malazeze shkonte deri në 5 mijë persona, ka marshuar në rrugët kryesore të Podgoricës drejt sheshit Republika e më tej para Parlamentit.

Sipas të dërguarit të Top Channel, turma ka tentuar të hyjë në selinë e Parlamentit, por është zmbrapsur nga ana policisë malazeze, e cila ishte me forca të shtuara.

Kjo ka bërë që manifestuesit të reagojnë duke hedhur gurë ndaj forcave të rendit, të cilat janë përgjigjur me gaz lotësjellës për t’i shpërndarë dhe më pas kanë nisur t’i ndjekin ata në rrugicat e qytetit. Nga vendi i ngjarjes raportohet edhe për të shtëna armësh dhe vitrina dyqanesh të thyera.

Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për Top Channel, një nga liderët e Frontit Demokratik, Milan Knezeviç, protesta bëhet për gjendjen ekonomike të Malit të Zi dhe kundër regjimit dhjetëravjeçar të Gjukanoviç.

Ai kërkoi që shqiptarët e Malit të Zi të mos e votojnë më atë. Por në protestën e radhës së opozitës, në vendin fqinj sërish u dëgjuan thirrje kundër Kosovës dhe u shfaqën simbole antietnike.

Ndërkohë, qeveria malazeze, por edhe deputetët shqiptarë, e komentojnë protestën si të nxitur nga faktorët që nuk e duan Malin e Zi në NATO.

Sipas tyre, tensionimi vjen pikërisht në prag të marrjes së ftesës së anëtarësimit. Madje, mazhoranca thotë se në këtë çështje ka ndërhyrë Moska, e cila kërkon rritjen e ndikimit të saj në Ballkan.

Top Channel