Popovich, trajneri i ri i kombëtares së basketbollit në SHBA

24/10/2015 00:00

Gregg Popovich do të jetë trajneri i përfaqësueses amerikane të basketbollit. Tekniku aktual i San Antonio Spurs do të zëvendësojë në këtë detyrë Majk Krizevskin, i cili vetëm përpara pak ditësh deklaroi se do të largohet nga posti i tij, pas përfundimit të Lojërave Olimpike të Rios në 2016 ku do të kërkojë medaljen e tretë të artë radhazi.

Mësohet se Popovich do të ketë një kontratë me drejtuesit e Basketbollit amerikan për periudhën 2017-2020, por nuk përjashtohet mundësia që ajo të rinovohet pas Lojërave Olimpike të Tokios.

Greg Popovich është trajner i San Antonio Spurs prej 19 vitesh. Me skuadrën teksane ai ka fituar 5 tituj kampionë në NBA dhe mbi 1000 ndeshje në karrierën e tij. Ai ka punuar më parë me skuadrën përfaqësuese amerikane në vitet 2002-2004, por në rolin e asistentit. Tani e pret një detyrë akoma më e rëndësishme, ajo e trajnerit të parë të kësaj skuadre.

Gregg Popovich, i diplomuar në vitin 1970 në Akademinë e Aeronautikës Militare, dhe ish agjent i CIA, bëri komentin e tij të parë si trajner i përfaqësueses amerikane të basketbollit.

“Jam shumë krenar dhe i nderuar që do të mund t’i shërbej vendit tim si trajner i skuadrës kombëtare së basketbollit. Ajo që ka arritur ky ekip nën drejtimin e trajnerëve të mëparshëm është vërtet impresionuese. Do të bëj më të mirën time që të mbaj këto standarde suksesesh”, ka thënë Popovich.

Top Channel