Presidenca e FIFA-s, rikandidon Jerome Champagne

23/10/2015 00:00

Jerome Champagne rivendos kandidaturën për president të FIFA-s. Francezi e ndërmori një veprim të tillë edhe për zgjedhjet e muajit maj, por në fund u tërhoq pasi nuk kishte arritur kufirin minimal të 5 nominimeve.

Por pas ngjarjeve të muajve të fundit me skandalin e korrupsionit që ka mbërthyer institucionin më të lartë të futbollit botëror, Champagne ridel në skenë.

Në garën për kreun e FIFA-s, ai i bashkohet Platini që në këtë moment është i pezulluar për 90 ditë, Princit Ali, David Nakhid dhe Sheikut Salman Al -Khalifa.

Në një komunikatë të publikuar në faqen e tij të internetit, Jerome Champagne bëri të ditur arsyet pse vendosi të rikandidojë në zgjedhjet për president të FIFA-s.

“Në një kohë kur FIFA ka më shumë nevojë se kurrë për një debat të hapur për të ardhmen, reformën e saj dhe atë në fuutboll, ne u bëmë dëshmitarë të një fushate elektorale të dominuara nga ngjarjet kontroverse dhe marrëveshje të nënshklruara me dyer të mbyllura”, lexohet në komunikatën e tij.

“Unë kam si objektiv vazhdimin e punës së mirë që është bërë në 40 vjet, aplikimin e standardeve më të larta të transparencës dhe etikës dhe modernizimin e administratës së FIFA”.

Jerome Champagne ka qenë më parë pjesë e FIFA-s, në periudhën 1999-2010. Nga viti 1999-2002, ai ka qenë këshilltar i Blatter, për të marrë më pas rolin e Sekretarit të Përgjithshëm, delegatin e presidentit dhe drejtorin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Top Channel