Mbyllet “konflikti”, De Biasi dhe Manaj takohen në Milano

22/10/2015 00:00

Trajneri i kombëtares sonë, Gianni De Biasi, është takuar në Milano me një nga futbollistët më premtues shqiptarë të momentit, sulmuesin Rey Manaj, i cili ditën e djeshme ngriti trofeun e tij të parë me Interin, “Trofeun Berlusconi”.

Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendësi i trajnerit italian të përfaqësueses sonë të futbollit, Paolo Tramezzani.

Para disa ditësh pati një “luftë” deklaratash mes De Biasit dhe Manajt. Sulmuesi 18-vjeçar i Interit dhe i përfaqësueses së 21-vjeçarëve të Shqipërisë reagoi ashpër ndaj De Biasit, duke deklaruar se trajneri ka gënjyer kur është shprehur se ai i dërgon sms çdo javë për ta grumbulluar, duke e ftuar trajnerin të publikojë mesazhet. Një reagim me tone të forta që krijoi konfuzion, edhe mbi faktin nëse ishte i vërtetë.

Më pas, erdhi edhe ndjesa publike nga ana e lojtarit: “Doja para së gjithash t’i kërkoja falje Gianni De Biasi-t, trajnerit të Kombëtares shqiptare. M’u përcollën deklarata të shtrembëruara dhe gabova që nuk i verifikova, jam i ri dhe impulsiv, por dhe intelegjent, ndaj reflektova gjatë natës dhe kuptova se kam gabuar. Në të ardhmen nuk do t’i përsëris më gabime të tilla. Pas pak ditësh do t’i telefonoj De Biasit për t’i folur personalisht. Shpresoj që kjo çështje të mbyllet sa më shpejt, pasi gjithçka ishte një keqkuptim me mediat dhe gazetarët”.

Ndërkohë, De Biasi ka thënë se Manaj nuk ka pasur nevojë që të kërkojë falje, duke u shprehur se me mesazhin që Rey i ka dërguar, tregon se sa shumë ai e do Kombëtaren.

“Më bëhet qejfi që ka kërkuar falje, por nuk ishte e nevojshme që ta bënte. Ka treguar pjekuri. Sinqerisht besoj se djaloshi është keqkuptuar. Manaj më ka dërguar vetëm një mesazh, por kjo është diçka natyrale dhe pozitive, kështu që nuk bën gjë tjetër veçse tregon se sa shumë e do Rey kombëtaren dhe sa dëshirë ka që të hyjë dhe të bëjë pjesë në këtë grup. Natyrisht që ajo që vlen më shumë është fusha, por ne po e ndjekim dhe e di që ka shumë kualitet”, ka thënë italiani.

Top Channel