Maqedoni, nxënësit protestojnë kundër reformave të qeverisë në arsim

21/10/2015 00:00

Qindra nxënës të shkollave të mesme kanë protestuar në Shkup, kundër reformave qeveritare në arsim, që – sipas tyre, – janë të dëmshme për nxënësit.

Protestuesit e rinj kërkojnë të ndërpritet zbatimi i të ashtuquajturit “testim i jashtëm”, që aplikohet nga Ministria e Arsimit për të kontrolluar njohuritë e nxënësve. Ata kundërshtojnë edhe modelin e ri të provimit për maturën shtetërore.

“Nëse kërkesat tona nuk do të merren parasysh, ne do të ndërmarrim veprime më radikale. Nuk përjashtojmë mundësinë për bojkotimin e mësimit, apo organizimin e protestave dhe ngritjen e çadrave para Ministrisë”, tha Nikola Krstevski, nxënës.

Nxënësit që dolën të mërkurën në protesta janë ankuar për presione të shumta. Madje, – sipas tyre, – nxënësit e një shkolle të mesme në Shkup nuk janë lejuar të dalin jashtë objektit, me qëllim që të mos i bashkohen protestës.

Nga ana tjetër, të rinjtë që kishin arritur të dalin në rrugë morën përkrahje nga shumë qytetarë. Në mbështetje të tyre doli edhe deputetja e pavarur në Kuvendin e Maqedonisë, Solza Gërçeva.

“Mendoj se beteja e nxënësve është e drejtë, prandaj i mbështes. Bëhet fjalë për një lëvizje autentike, pa ngarkesa partiake apo etnike, që lufton për kualitetin e arsimit tonë. Modeli aktual i testimit të jashtëm i ka dëmtuar shumë nxënësit dhe profesorët”, tha Solza Gërçeva, deputete e pavarur.

Marshimi i nxënësve ka përfunduar i qetë para Ministrisë së Arsimit. Ditën e enjte, protestat do të vijojnë në Kumanovë.

Top Channel