Maqedoni, Vanhoute: Nëse nuk respektohen afatet, s’ka zgjedhje të parakohshme

21/10/2015 00:00

Nëse nuk respektohen afatet e marrëveshjes së qershorit dhe korrikut, për daljen e Maqedonisë nga kriza politike, është e pamundur të mbahen zgjedhjet e parakohshme, të caktuara për më 24 prill të vitit 2016.

Ky është konkluzioni i ndërmjetësuesit Vanhoute, i deklaruar gjatë një takimi me gazetarët, pas mosarritjes së pajtueshmërisë mes 4 partive më të mëdha politike në vend.

Gjithashtu, këtë të mërkurë nuk janë përzgjedhur as 7 prokurorët e mbetur nga ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva.

Nga Prokuroria publike njoftojnë se, Këshilli i Prokurorëve nuk e ka pasur në rend të ditës kompletimin e ekipit të Janevës, me arsyetimin se “tani për tani, asaj i mjaftojnë 7 prokurorë”.

“Ajo duhet të fillojë punën me 7 të përzgjedhurit. Këshilli ka vlerësuar njëzëri se, ata prokurorë mjaftojnë për t’i shqyrtuar lëndët nga përgjimet. Më pas, nëse paraqitet nevoja për më shumë, ne do të diskutojmë për këtë çështje”, ka pohuar kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.

Top Channel