Mali i Zi, opozita: Të ikë diktatori Gjukanoviç. Shqiptarët mos e votojnë

21/10/2015 00:00

Podgorica duket e qetë, por ka mjaft ankth në pritje të protestës së lajmëruar për ditën e shtunë nga opozita “Fronti Demokratik”, një forcë politike me theks nacionalist proserb.

Partia e drejtuar nga Andrea Mandiç nisi aksionin për rrëzimin e qeverisë, që përbëhet nga koalicioni i drejtuar prej malazezit Milo Gjukanoviç.

Drejtuesit e protestës thonë se, shkaku është varfëria dhe qeverisja diktatoriale prej 20 vitesh me votat e vjedhura nga Gjukanoviç. Organizatori i protestave, Milan Knezeviç, në një intervistë për Top Channel thotë se, opozita nuk është kundër hyrjes në NATO.

“Ne kërkojmë formimin e një qeverie të re. Kemi 20 vite që drejtohemi nga regjimi diktatorial i Milo Gjukanoviçit. Kërkesat tona janë ekonomike dhe politike dhe të bërit zgjedhje të lira në Mal të Zi”, tha Milan Knezeviç, organizator i protestave.

Dita e shtunë është dita e përfundimit të ultimatumit, që opozita i ka dhënë Gjukanoviçit. Sipas Knezeviç, protestat nisën më 27 shtator dhe më 17 tetor qeveria përdori forcën.

“Ne do të protestojmë paqësisht dhe shpresojmë në një largim të butë të Gjukanoviçit. Janë me mijëra qytetarë, që të shtunën presin largimin e tij. Edhe ju në Shqipëri keni zhvilluar protesta. Edhe Edi Rama ka bërë protesta kundër Sali Berishës, madje pati dhe mirëkuptimin e ndërkombëtarëve. Ne shpresojmë që Milo Gjukanoviç të mos e çojë vendin në një luftë civile”, tha më tej Knezeviç.

Shqiptarët në Mal të Zi – thotë përfaqësuesi i opozitës, – duhet të kuptojnë, që nuk duhen të bëhen orbitë e partisë së Milo Gjukanoviçit, të cilin gjithmonë e kanë votuar. Drejtuesi i protestave mohon se protesta është kundër hyrjes së Malit të Zi në NATO.

“Jo, në asnjë mënyrë nuk jemi kundër hyrjes në NATO. Kërkesat tona ia kemi paraqitur qeverisë, kryetarit të Parlamentit dhe të gjitha partive. Ato janë formimi i qeverisë së parakohshme dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor”, tha Knezeviç.

Për gazetarin e politikës në gazetën malazeze “Vijesti”, gazeta më e madhe në këtë vend, është e pamundur rrëzimi i qeverisë, në një kohë kur vendi është duke hyrë në NATO dhe askush nuk do destabilizim.

“Mali i Zi është përfshirë në një krizë politike, ku opozita kërkon rrëzimin e qeverisë, por mendoj se është e vështirë të ndodhë. Opozita kërkon krijimin e një qeverie të parakohshme dhe më pas kalimin në zgjedhje parlamentare. Kërkesat e opozitës janë ekonomike, kundër varfërisë, por dhe politike”, tha Samir Kajoseviç, gazetar i “Vijestit”.

Por a janë këto protesta kundër NATO-s?

“Nuk mund të themi që këto janë kundër NATO-s, në një kohë që vetë protestuesit thonë se ndërrimi i qeverisë nuk e pengon rrugën drejt NATO-s”, tha më tej gazetari Kajoseviç. Gazetari parashikon tension të shtunën, ashtu siç ndodhi edhe më 17 tetor.

Top Channel