Pankina e Bayernit, kontakte edhe me Ancelottin

21/10/2015 00:00

Bayern Munchen nuk dëshiron aspak t’ia lërë gjërat rastësisë, përsa i përket çështjes së trajnerit sezonin e ardhshëm.

Sigurisht, synimi kryesor i drejtuesve të klubit bavarez është rinovimi i kontratës me Pep Guardiolën dhe optimizmi nuk mungon në këtë pikë. Megjithatë, kampionët Gjermanë po mendojnë edhe për alternativa të tjera, në rast se dështojnë bisedimet me teknikun katalanas.

Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja gjermane “Bild”, Bayern Munchen ka nisur të kontaktojë me trajnerin Carlo Ancelotti, i cili vendosi të qëndrojë një vit pushim, pas largimit nga Reali i Madridit.

Gjithnjë sipas “Bild”, italiani konsiderohet si zëvendësuesi më i mirë i 44-vjeçarit në pankinën bavareze. Gjithsesi, e gjithë kjo lëvizje do të bëhet vetëm në rast se Guardiola vendos përfundimisht të mos e zgjasë kontratën me bavarezët.

Kontrata aktuale e tij skadon në vitin 2016 dhe mësohet se, Guardiola do të duhet të japë një përgjigje përfundimtare në lidhje me këtë çështje brenda datës 31 dhjetor të këtij viti.

Top Channel