F1, Hamilton do të tentojë titullin që nga Teksasi

21/10/2015 00:00

Botërori i Formula 1 kthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Teksasit, që zhvillohet në Austin.

Në këtë garë, Lewis Hamilton do të tentojë të mbyllë përfundimisht çështjen e titullit kampion për pilotë, që do të jetë i dyti radhazi për të dhe i treti në karrierë.

Piloti britanik ka një avantazh prej 66 pikësh kundrejt Sebastian Vettel, në vendin e dytë, ndaj dhe i mjafton të fitojë 9 pikë më shumë se gjermani i Ferrarit, si dhe 2 më shumë se Rosberg për të vulosur suksesin e radhës.

Janë disa kombinime që i japin Hamiltonit mundësinë për të fituar titullin kampion në garën e SHBA-ve. Kështu, 30-vjeçari do të shpallej kampion në pistën e Austin, nëse ai fiton garën dhe Vettel nuk renditet në vendin e dytë, ose në rast se pozicionohet i dyti dhe Vettel renditet i gjashti, ndërsa Rosberg nuk e fiton garën.

Por, Hamilton mund të shpallet kampion në SHBA edhe nëse renditet i treti, por në këtë rast Vettel duhet të dalë i shtati e Rosberg i treti. Nëse britaniku e mbyll garën i katërti, atëherë ai duhet të shpresojë në një vend të nëntë të Vettelit dhe Rosberg të jetë jashtë podiumit për t’u shpallur kampion që këtë fundjavë.

Top Channel