Kumanovë, lirohet polici shqiptar. S’ka prova për ndihmë ndaj grupit të armatosur

21/10/2015 00:00

Plot 5 muaj e gjysmë nga arrestimi i tij, polici shqiptar në Maqedoni, Afrim Sulejmani është liruar nga paraburgimi për shkak se nuk janë gjetur prova për dënimin e tij.

Sulejmani është njëri prej të arrestuarve pas përleshjes mes policisë dhe një grupi të armatosur në “lagjen e Trimave” në Kumanovë, ngjarje që daton më 9 dhe 10 maj të këtij viti, i cili akuzohej si një ndër ata që i kanë ofruar mbështetje logjistike grupit të armatosur të shqiptarëve që terrorizuan për disa orë qytetin e Kumanovës.

Gjykata Penale e Shkupit nuk ka mundur të sigurojë dëshmi, nëse Sulejmani ka qenë i përfshirë në përleshjen e Kumanovës, ku mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërkohë që u arrestuan dhjetëra shqiptarë.

Avokatët mbrojtës të Sulejmanit kërkojnë tashmë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, që ta rikthejë atë në detyrë dhe t’i kompensojë dëmet materiale që i janë shkaktuar.

Top Channel