F1, Eccleston kërcënon Red Bullin: Nuk ka motor? Ka një kontratë për të garuar

20/10/2015 00:00

Red Bull nuk ka ende një motor për sezonin e vitit 2016 dhe, në mungesë të një akordi të firmosur me ndonjë furnizues, mundësia e një daljeje të bujshme të skuderisë nga Milton Keynes nga bota e Formula 1 bëhet edhe më reale me kalimin e ditëve.

Megjithatë, Bernie Ecclestone nuk dëshiron të ndodhë diçka e tillë, por edhe në rastin më të keq të mundshëm, bosi britanik nuk do të ishte i gatshëm të bënte lëshime ndaj skuderisë kampione të botës në vitet 2010-2013, aq sa do të ishte në gjendje edhe ta dërgonte në gjykatë atë për shkelje të kontratës.

“Nëse do të ndodhte, Red Bull do të mund të thoshte se ‘po, ishim të impenjuar dhe bëmë gjithçka, por tashmë nuk kemi një motor për të garuar’. Ndërsa unë do t’iu përgjigjesha prerazi. Keni firmosur një kontratë për të garuar dhe, kur e firmosët, duhej të ishit të sigurt se do ta kishit një motor”, ka thënë Ecclestone.

Padroni i Formula 1 ka folur në një intervistë për “Independent”, në të cilën shton se, për të evituar situata të ngjashme në të ardhmen, siç është kjo me Red Bullin, do të duhej të kishim në dispozicion “një furnizues të pavarur, ndaj dhe kjo është çështja që jam duke e shqyrtuar prej një viti e gjysmë tashmë”.

Sa i përket motorëve, Ecclestone këmbëngul në një rikthim të mundshëm tek ato me 8 cilindra. “Nuk mendoj se duhet të kemi konsensusin e të gjithë ekipeve, por besoj se do të duhet ta bëjmë dhe t’ua komunikojmë edhe atyre. Nëse nuk u pëlqen, atëherë le ta çojnë çështjen në arbitrazh. Mund të rikthejmë motorët V8 që nga viti i ardhshëm, edhe pse do të duhet pak kohë për t’i ndërtuar, por duhet ta bëjmë medoemos”, ka mbyllur intervistën bosi i Formula 1.

Top Channel