Edhe pse shpërbërja e ish-Jugosllavisë, që u mbyll më 27 prill 1992, u mbulua me gjakun e mijëra viktimave dhe dhjetëra luftrave të nisura nga Serbia, duket se Mali i Zi ka qenë partneri më besnik i Beogradit.

Vetëm një ditë pas shpërbërjes zyrtare të ish-Jugosllavisë, më 28 prill 1992 do të krijohej një tjetër “Federatë”, e cila në atë kohë u quajt “Republika Federale e Jugosllavisë”, ku bënin pjesë vetëm Serbia dhe Mali i Zi.

Ky emërtim do të mbetej i pandryshuar deri më 4 shkurt 2003, e që nga ajo kohë nisi të quhej Unioni Serbi-Mali i Zi, fundi i të cilit do të shënohej më 21 maj 2006, pas një referendumi të mbajtur në Mal të Zi, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë ndarjes së këtij unioni dhe krijimit të dy shteteve të pavarura në Ballkan.

Në të gjithë historinë post-Jugosllavi, një rol të rëndësishëm kishte dhe vijon të ketë Milo Gjukanoviç. Plot 4 herë kryeministër dhe një herë President i Malit të Zi, Gjukanoviç do të shndërrohej në figurën kyçe të politikës së Podgoricës.

Fillimisht, ai u zgjodh si kryeministër në vitit 1991, post të cilin e mbajti deri në vitin 1998, kur vendosi të kandidonte për President të Republikës së Malit të Zi. Këtë detyrë, ai e mori më 15 janar 1998 dhe e mbajti deri më 25 nëntor 2002.

Vetëm 3 muaj pasi mbaroi mandatin si President, Gjukanoviç rizgjidhet sërish kryeministër i Malit të Zi. Më 10 nëntor 2006, pasi lë zyrën e kreut të Qeverisë dhe pasi arriti fitoren e tij në referendumin për ndarjen e Malit të Zi nga Serbia, Gjukanoviç vendos të shkëputet për dy vite nga jeta aktive politike.

Një shkëputje, që u pasua me një sërë hamendësimesh për rikthimin e tij në postin e Presidentit, por që u hodhën poshtë më 29 shkurt 2008, kur ai rizgjidhet për të tretën herë si kryeministër i Malit të Zi.

Por, vetëm dy vite pas zgjedhjes, Gjukanoviç tërhiqet sërish nga skena politike për një pushim të dytë, deri më 4 dhjetor 2012, kur për të katërtën herë ai do të ulej në karrigen e kryeministrit, post të cilin e mban ende edhe sot, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve të shumta të partive opozitare.

Partia e tij i ka fituar të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri më sot, përfshi edhe referendumin për shkëputjen nga unioni me Serbinë. Në këtë rrugëtim politik prej më shumë se 2 dekadash, Gjukanoviç ka qenë i akuzuar për korrupsion, ndërsa vitet e fundit vendi ka përshpejtuar hapat e integrimit. Janë hapur negociatat e anëtarësimit në BE dhe në dhjetor pritet anëtarësimi në NATO.

Top Channel