Mal i Zi, protestuesit i japin 6 ditë kohë kryeministrit Gjukanoviç

20/10/2015 00:00

Në mediat ndërkombëtare nuk ka bërë shumë bujë, përveç se të dielën, kur tensionet shpërthyen në përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve antiqeveritarë. Por, trazirat në Podgoricë vazhdojnë prej të paktën tri javësh.

Koalicioni opozitar Fronti Demokratik ka 20 ditë, që bllokon sheshin përpara Parlamentit, me kërkesën e dorëheqjes së kryeministri Milo Gjukanoviç. Për një vend, që ka vetëm pak më shumë se 600 mijë banorë, një protestë me 18 mijë pjesëmarrës nuk është e papërfillshme.

Gjukanoviçit i është kërkuar të largohet deri më 24 tetor, përndryshe Fronti thotë se do të mbledhë gjithë Malin e Zi për të rrëzuar qeverinë. Por, a ishte spontane e gjithë kjo? Në manifestimin fillimisht paqësor, tubuesit mbanin në duar sa flamuj malazezë, ashtu edhe flamuj serbë.

Koalicioni opozitar gëzon në fakt simpatinë e banorëve të disa zonave brenda vendit, që shpesh e identifikojnë veten si serbë, e që në 2006-n votuan kundër referendumit të Pavarësisë. Tabloidi “Informer” dhe “TV Pink” e kanë akuzuar hapur Frontin Demokratik për lidhje me Partinë Demokratike serbe “DSS”, të ish-kreut të shtetit serb, Vojislav Koshtunica.

Por të tjerë mendojnë se, pas këtij përshkallëzimi fshihet dora e Moskës. Nuk është mbase rastësi, që ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ishte i pari që reagoi, duke shprehur shqetësim ndaj përdorimit të forcës kundër manifestuesve.

Moska – sipas ekspertëve, – beson se një afrim i shpejtë i Malit të Zi me BE-në dhe NATO-n nuk ka për të qenë aspak burim prosperiteti, por përkundrazi, do t’i ndezë edhe më shumë gjakrat, duke polarizuar pozicionet politike dhe ideologjike në shoqëri.

Gazetari maqedonas, Vladimir Petreski është i bindur se, Rusia po përdor në Mal të Zi të njëjtën propagandë si në Maqedoni. Nëpërmjet influencës së vetë në botën ortodokse, Kremlini – këmbëngul ai, – hedh farën e përçarjes në Ballkanin Perëndimor, me qëllimin të forcojë peshën e vetë ndërkombëtare.

E me këtë arsyetim, nuk është çudi që Mali i Zi, i etiketuar dikur “si dalja e Moskës në det”, të jetë fushëbetejë e një tjetër përplasjeje të heshtur Rusi-Perëndim.

Rusët janë renditur gjithmonë në krye të listës së investitorëve në këtë vend, por që kur Podgorica nisi ta kthejë vëmendjen nga Bashkimit Europian e të lakmojë paratë e pasanikëve nga Lindja e Mesme dhe Gjiri Persik, influenca ruse atje është në rënie, ndaj dhe Moskës kjo, padyshim, nuk i vjen për shtat.

Top Channel