Basketboll,  Krzyzewski do të lërë kombëtaren e SHBA-së pas Olimpiadës

20/10/2015 10:40

Mike Krzyzewski do të largohet nga përfaqësuesja amerikane e basketbollit në përfundim të Lojërave Olimpike të Rios. Trajneri mitik e ka konfirmuar këtë lajm në një intervistë për rrjetin ESPN.

“Tani ka ardhur koha të shoh përpara. Mendoj se pas Lojërave të Rios gjithçka do të përfundojë”, tha “Coach K”.

Nuk është hera e parë që Krzyzewski deklaron largimin nga pankina e SHBA-së. Edhe përpara Lojërave Olimpike të Londrës në vitin 2012 u fol shumë për lamtumirën e tij, por duket se këtë radhë ai nuk ka ndërmend të kthehet pas.

Tashmë në SHBA kanë filluar që të ngrihen hipoteza për emrin e trajnerit që do të pasojë Krzyzewskin dhe pretendentët kryesorë për të marrë këtë detyrë duket se janë Doc Rivers dhe Greg Popovich.

Top Channel