Ancelottit i rikthehet “dashuria” për Milanin: Kurrë tek Interi

19/10/2015 00:00

“Nuk do të mund të stërvisja kurrë Interin”, është ky versioni “kuqezi i përjetshëm” i Carlo Ancelottit, ish-trajnerit të Milanit, Chelseat dhe Realit të Madridit. “Kjo, sepse kanë qenë shumë vite, e shumë të suksesshme madje, që kam kaluar te Milani”, shprehet tekniku italian në një intervistë të dhënë për “Goal.com”.

“Është thjesht një çështje respekti ndaj historisë sime dhe historisë së atij klubi që unë kam drejtuar për aq shumë kohë. Të tilla janë edhe shumë skuadra të tjera, për historinë e të cilave nuk do të mund të drejtoja kundërshtarët e tyre. Nuk mund të shkoj kundër historisë sime”, ka shtuar më tej Ancelotti.

Duket se Ancelottit po i rikthehet dashuria e vjetër për Milanin. Intervista në fakt i është rikthyer edhe kontakteve të kësaj vere, që klubi kuqezi ka pasur me trajnerin e suksesshëm, të cilin tentuan ta rikthenin në Milano.

“Kur u largova nga Reali i Madridit pata shumë kontakte me Gallianin – shpjegon Ancelotti. – Ishte 4 ditë në Madrid, por unë kisha programuar një operacion në shpinë. Nuk do të isha në dispozicion për 4 muaj, ndaj dhe nuk do të isha në gjendje të punoja në 100%-shin tim. Ndaj dhe, edhe pse më erdhi keq, mendoj se ishte gjëja më e mirë që e refuzova Milanin, gjë që besoj se edhe klubi e kuptoi pozicionin tim”.

Sot Ancelotti vijon të jetë pushim, një zgjedhje e bërë prej vet atij. Por, çfarë do të bëjë në të ardhmen? “Kam pasur fatin të ndihem mirë kudo që kam shkuar për të drejtuar. Për këtë arsye, nuk mund të përjashtoj faktin që mund të kthehesha një ditë në klubet që kam drejtuar. Sigurisht dhe pa asnjë dyshim do të kthehesha me gjithë qejf te Milani, ashtu sikurse edhe te PSG-ja. Duke parë mënyrën sesi kanë shkuar këto eksperienca, mendoj se më kanë dhuruar emocione dhe kujtime të bukura”.

Top Channel