Eccleston, më autokritik se kurrë: Rregullorja e F1 duhet hartuar nga e para

19/10/2015 00:00

Shumë polemika, por i vendosur. Ashtu siç ka qenë gjithnjë, por këtë herë me një ndryshim: shfaqet edhe autokritik.

Bernie Ecclestone rikthehet të flasë për atë që e krijoi me duart e tij, sportin më të ndjekur të automobilizmit Formula 1, gjatë një interviste të përbashkët me ish-presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, FIA, Max Mosley, të dhënë për stacionin televiziv gjerman, ZDF.

E ka bërë sipas mënyrës së tij… “Ka ardhur koha për ta menduar nga e para formatin e Formula 1. Me këto rregulla është kthyer si një shtëpi e vjetër viktoriane. Duhet të shpluhurosim librin dhe së bashku me disa persona të veçantë dhe kompetentë ta rishkruajmë nga e para atë”.

E nëse dy javë më parë kishte zbuluar fshehurazi ndonjë pakënaqësi, duke folur për pronarë të rinj të mundshëm gjatë një videokonference në “Camp Beckenbauer”, këtë herë është shfaqur edhe më i vendosur, duke analizuar me autokritikë disa prej problemeve që janë duke u shfaqur në kampionatin më të rëndësishëm të automobilizmit më të ndjekur në botë.

“Puna e inxhinierëve është tepër e vlefshme. Kur njëvendëshet janë në pistë, duhet të vlejë vetëm performanca e pilotit, por sot nuk ndodh kështu”, thotë ai.

Megjithatë, jep edhe ndonjë këshillë për zgjidhjen e mundshme. “Duhet të jemi në gjendje të dëgjojmë atë që dëshiron publiku. Ky i yni është një sport që duhet t’i bëjë llogaritë me spektaklin e prodhuar. Sot, teknologjia ka reduktuar ndjeshëm efektin e performancës së pilotit. Unë jam pjesë e grupit strategjik dhe mund të them se, nëse vazhdojnë të fusin rregulla të pavlefshme, e nëse struktura mbetet kjo që është tani, duhet të hedhim poshtë gjithçka dhe ta nisim nga e para”.

“Me këtë nuk dua të them se Leëis Hamilton nuk është një superpilot, por faktikisht atë e ndihmon edhe makina aktuale që ka në dispozicion. Do të më pëlqente ta shihja në një makinë të GP2, me pilotët e GP2. Nuk po them se nuk do ta kishte të mundur të fitonte, por do të ishte një sfidë interesante”.

Top Channel