Skënderbeu ndalet për herë të parë, 2-2 me Teutën në Korçë

16/10/2015 00:00

Skënderbeu kampion i 5-fishtë i Superiores ka njohur më në fund pengesën e parë në kampionatin shqiptar, pikërisht në javën e 7 të sezonit, kur edhe barazuan 2-2 me Teutën e Durrësit në ndeshjen e luajtur në Korçë.

“Bardhekuqtë” vinin nga një ecuri rekord prej 6 fitoresh radhazi, një rekord në historinë e kampionatit shqiptar, por janë gjendur disi të befasuar përballë një rivali jo me emra të mëdhenj, as me financime të mëdha, por me një grup të talentuar lojtarësh të udhëhequr nga trajneri Magani.

Një ndeshje spektakolare me aksione të shumta dhe me ritëm të jashtëzakonshëm loje, një tregues mëse i qartë i rritjes së cilësisë së futbollit shqiptar.

Goli i parë për korçarët u shënua pas 54 sekondash lojë, me Hamdi Salihin, pas një kombinimi të gjatë mes Berishës, Olayinkas dhe shkodranit. Festimet e shumta dhe tymueset e hedhura në fushën e blertë bënë që ndeshja të ndërpritej për pak çaste, por që me uljen e ritmit të korçarëve përfituan durrsakët. Emiljano Musta barazpeshoi gjithçka në minutën e 7 dhe vetëm 5 minuta më vonë, në të 12-n, u goditën sërish me një gol të Ditës, me fat.

Por, gëzimi i durrsakëve nuk zgjati më shumë sesa minuta e 19, kur Olayinka finalizoi me sukses një aksion të bukur të Skënderbeut, duke barazpeshuar sfidën, në një rezultat që nuk do të ndryshonte deri në fund të 90 minutëshit, pavarësisht rasteve të shumta.

Për t’u theksuar edhe pretendimi për 11-metërsh nga ana e Salihit në sekondat e fundit të shtesës së pjesës së parë, përpara se lojtarët të pushonin në dhomat e zhveshjes.

Top Channel