Ende pa filluar të zbatohet në praktikë, marrëveshja e 2 qershorit për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni rrezikon të dështojë. Përfaqësuesit e partisë opozitare maqedonase LSDM, kanë braktisur bisedimet që zhvillohen mes katër partive kryesore për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ata janë shprehur të revoltuar nga vendimi i Këshillit të Prokurorëve, i cili në kundërshtim me ligjin, një ditë më parë zgjodhi vetëm gjysmën e prokurorëve që duhet të jenë pjesë e stafit që duhet të punojë me Prokuroren Speciale Katica Janeva, për hetimin e skandalit të përgjimeve.

Duke folur për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, ka porositur palët që t’i vazhdojnë bisedimet dhe t’i përmbahen afateve që parashikon dokumenti.

“Është shumë e rëndësishme që të zhvillohet një proces i besueshëm dhe i pavarur gjyqësor për çështjet që dolën në pah nga telefonatat e përgjuara. Kjo është shumë e rëndësishme për të ndihmuar Maqedoninë të dalë nga kjo situatë në të cilën gjendet. Bisedimet në grupet e punës duhet të vazhdojnë. Ka punë shumë të rëndësishme për të bërë, por vetëm pak kohë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Edhe dy partitë shqiptare që janë pjesë e negociatave për tejkalimin e krizës politike, BDI dhe PDSH, kanë kërkuar të tejkalohen mosmarrëveshjet mes partive maqedonase dhe të rikthehet dialogu politik. Në një njoftim me shkrim, BDI-ja bën thirrje që bisedimet midis katër partive më të mëdha politike të vijojnë sa më parë në drejtim të përmbylljes së çështjeve të tjera të hapura.

Edhe PDSH-ja opozitare apelon që sa më shpejt të tejkalohen mosmarrëveshjet rreth Prokurores Speciale. Në reagimin e saj, kjo parti kërkon që me më shumë seriozitet të vazhdojë dialogu për marrëdhëniet ndëretnike dhe për përshpejtimin e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

Top Channel