Befason De Biasi: Mund të drejtoj Kombëtaren greke

15/10/2015 00:00

Kombëtarja greke e futbollit në të ardhmen mund të ketë një trajner me pasaportë shqiptare, pasi Gianni De Biasi e ka lënë të hapur mundësinë për të drejtuar këtë përfaqësuese.

Në një intervistë për një radio greke, trajneri italian i Shqipërisë është shprehur se do të ishte i interesuar që të drejtonte Kombëtaren e fqinjit tonë jugor.

“Sigurisht që do të isha i interesuar të drejtoja Kombëtaren greke, ose një skuadër futbolli në Greqi, madje më duhet t’ju them se para një viti e gjysmë kam qenë shumë afër një skuadre të madhe greke”, deklaroi De Biasi.

Tekniku italian ka sqaruar edhe detajet e kontratës. “Kontrata ime skadon më 31 dhjetor 2015, por në kontratë parashihet që në rast kualifikimi, atëherë kontrata mbyllet pas përfundimit të Europianit”, tha De Biasi.

Gianni ka thënë se për të ardhmen do të vendos pas Europianit, nëse do të qëndrojë në stolin e Kombëtares kuqezi, apo duhet të marrrë në konsideratë disa oferta të tjera.

“Do të jem pjesë e Shqipërisë deri pas Europianit dhe pastaj do të shohim. Nuk e di nëse do të qëndroj apo do të shikoj për ofertat e tjera. Gjithsesi, Greqia ka shumë lojtarë të mirë dhe pres që në vitet në vazhdim t’i rikthehet evinimenteve të mëdha”, tha italiani.

Nuk mund të mungonin pyetjet për Ergys Kaçen dhe Kristi Vangjelin, dy lojtarët shqiptarë të cilët aktivizohen në kampionatin grek.

“Ergysi është një lojtar i madh dhe shumë i rëndësishëm për ne, por nuk luajti në ndeshjen e fundit sepse ne gjetëm balancin në mesfushë dhe kur skuadra është mirë, atëherë do ta kesh të vështirë ta ruash balancin nëse bën ndryshime”, tha ai.

“Jam shumë i nderuar që Kristi ka thënë fjalë të mira për mua. Ai është një lojtar i madh, por nuk është në planet tona”, u shpreh De Biasi.

Top Channel