Serbia rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të kërkesave të Gjermanisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në kapitullin 35 të bisedimeve të Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian, Gjermania kërkon një marrëveshje paqeje dhe kjo ka trazuar politikën serbe. Një pjesë e serbëve janë për referendum lidhur me pranimin ose jo të këtyre kërkesave, por kryeministri Aleksandar Vuçiç ka thënë se do të japë dorëheqje për ta konfirmuar politikën e tij.

Ai takoi edhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe, por edhe ambasadorët e shteteve perëndimore në Beograd për të diskutuar për problemet e krijuara pas takimeve të fundit në Bruksel.

Presidenti serb Tomisllav Nikoliç tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë është e pamundur dhe një gjë e tillë do të shkaktonte një luftë civile.

Kjo vë në pikëpyetje vazhdimin e bisedimeve me Kosovën, por edhe vetë bisedimet e Serbisë për integrim.

Top Channel