Kumanovë, arrestohen “bashkëpunëtorët” e grupit të armatosur

15/10/2015 12:40

Policia maqedonase ka arrestuar 7 persona për të cilët dyshon se kanë bashkëpunuar me pjesëtarët e grupit të armatosur që luftuan në “Lagjen e Trimave” më 9 dhe 10 maj. Aksioni i policisë është kryer mëngjesin e së enjtes në pesë fshatra të rajonit të Kumanovës dhe Shkupit.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski tha se të dyshuarit nuk kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në luftime, por sipas tij, ata kanë ndihmuar grupin e armatosur: “Sipas të dhënave që posedojmë, 7 personat e dyshuar kanë pasur kontakte telefonike dhe personale me pjesëtarët e grupit të armatosur, por nuk kanë marrë pjesë në sulmet ndaj policisë. Ata janë të dyshuar dhe ngarkohen për ndihmë në forma të ndryshme”.

Tre nga personat e arrestuar janë nga fshati Hotël, 2 nga fshati Brezë. Në fshatin Mateç dhe Malinë policia ka arrestuar nga një person. Ata janë të dyshuar për kryerje të veprave penale “organizime terroriste” dhe “terrorizëm”. Familjarët e të dyshuarve thonë se janë tmerruar nga sjellja e pjesëtarëve të njësive speciale gjatë aksionit që u zhvillua në orët e hershme të mëngjesit.
 
Fejzulla Latifi tha: “Vijnë si kauboj këtu, na i frikësojnë fëmijët dhe gratë. Këta njerëz nëse dëshirojnë të na shkulin prej këtu le të na tregojnë. Nëse kanë për qellim të nisin luftë, le të vijnë Gruevski këtu sepse ne jemi vendas këtu”.

“Ne nuk e dimë pse po ndodhin këto gjëra. Nuk kemi bërë asgjë. Na kanë pyetur a keni qenë ushtar i UÇK-së, i thashë po sepse bashkë më vëllanë tim kemi qenë pjesëtarë të UÇK-së, por që prej atëherë nuk kemi pas asnjë problem”, thotë Ajdin Pajaziti nga fshatin Hotël.

Ndërkohë, bëhet e ditur se shërbimet e sigurisë së Maqedonisë druajnë nga ndonjë hakmarrje për aksionin policor në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë pesë muaj më parë dhe për këto rreziqe i kanë njoftuar vendet fqinje por edhe Bashkimin Evropian.

Top Channel