Miqësore me Poloninë në nëntor

13/10/2015 15:50

Kombëtarja shqiptare nuk ka shumë kohë për të pushuar. Skuadra kuqezi, që sapo siguroi kualifikimin historik për në Euro 2016, tashmë duhet të fillojë punën për përgatitjet e saj për ndeshjen miqësore të radhës që do të jetë me Poloninë e Robert Levandovskit, edhe kjo e kualifikuar direkt për në Euro 2016.

Lajmi u bë i ditur gjatë emisionit të Top Channel, Procesi Sportiv ku të ftuar ishin trajneri Gianni De Biasi, kapiteni Lorik Cana dhe kryeministri Edi Rama dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj ndeshjeje.

Tekniku italo-shqiptar i Kombëtares deklaroi se Federata Shqiptare e futbollit kishte nisur prej kohësh bisedimet për këtë cështje dhe shtoi se në të vërtetë po planifikohet zhvillimi i 2 sfidave miqësore të cilat mund të luhen në datat 12 dhe 17 nëntor.

Nëse gjithçka do të konfirmohet, atëherë kjo do të jetë sfida e 12 e Kombëtares sonë kundër polakëve. Bilanci flet në favor të Polonisë me 7 fitore 3 barazime dhe 1 humbje.

Herën e fundit që kombëtarja shqiptare u përball me këtë skuadër ishte miqësorja e 27 majit të vitit 2008 në Gjermani, sfidë kjo që u fitua nga Polonia 1-0.

Top Channel