Midis dispozitave që anulon projektligji i ri për sigurimet shoqerore, që e ka sjellë në Parlament qeveria greke për diskutim dhe pritet për t’u votuar në fundjavë, është shfuqizimi i nenit që përcaktonte dhënien dhe ridhënien e pensioneve të Entit të Sigurimeve Agrare për rreth 30.000 homogjenë nga Shqipëria dhe ish-republikat e Bashkimit Sovjetik.

Qeveria e mëparshme e zotit Tsipras kishte miratuar në gusht, para se vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, ligjin për pensionet e minoritarëve të cilët do të fillonin të përfitonin në bazë të disa kushteve prej 1 tetorit të këtij viti një pension minimal prej 260 eurosh, i cili parashikohej të rritej në të ardhmen.

Pensionet për minoritarët u hoqën për herë të parë në mars të vitit 2012 nga qeveria e kryeministrit Samaras dhe megjithë premtimet e vazhdueshme të konservatorëve nuk u risollën më.

Qeveria e radikalëve të majtë pas fitores në janarin e këtij viti solli në Parlament ligjin për ridhënien e tyre dhe e aprovoi në muajin gusht, por pas zgjedhjeve të parakohshme të 20 shtatorit  kanë ndryshuar edhe kërkesat e kreditorëve.

Kështu, në projektligjin e ri, midis ndryshimeve rrënjësore në ligjin për sigurimet shoqërore, përveç reduktimeve të reja të pensioneve dhe rritjes së moshës, anulohen edhe dhjetëra dispozita midis tyre edhe ajo që parashikonte dhënien e pensionit për minoritarët që kanë mbushur moshën 67 vjeç.

Pjesëtarë të komunitetit të minoritarëve që jetojnë në Greqi shprehen të zhgënjyer dhe deklarojnë se nuk kanë më asnjë shpresë, duke fajësuar të gjitha qeveritë e viteve të fundit, sidomos konservatorët, që anuluan tërësisht pensionin në fjalë tre vite më parë.

Burime të Top Channel pranë qeverisë kanë konfirmuar se në këto katër ditë që projektligji i ri do diskutohet në Parlament po bëhen përpjekje të mëdha nga grupi parlamentar i Syrizës dhe i Grekëve të Pavarur që kjo dispozitë të mos preket ose të zëvendësohet pensioni i minoritareve me një asistencë të vogël sociale.

Top Channel