Duka: Nuk shkojmë për turizëm në Francë

12/10/2015 17:00

Megjithëse festimet për kualifikimin në europianin e Francës nuk janë mbyllur ende, kreu i FSHF-së, Armand Duka ka nisur të shohë disi më larg.

Në fjalën e mbajtur në Presidencë gjatë dekorimit të Kombëtares me titullin “Nderi i Kombit” nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Duka premtoi se kuqezinjtë nuk shkojnë për shëtitje në finalet e një kompeticioni kaq të rëndësishëm.

“Dua të siguroj që do të kemi një përfaqësim dinjitoz në Francë. Një gjë ta keni të sigurtë, nuk po shkojmë për turizëm në Francë, do shkojmë për të bërë një paraqitje dinjitoze”, tha Duka.

Kombëtarja u nderua me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Nishani pas fitores 0-3 ndaj Armenisë. Titulli u tërhoq nga kapiteni Lorik Cana, që ftoi të gjithë djemtë e skuadrës për ta ndarë këtë gëzim së bashku.

Më herët, në takimin e organizuar nga kryeministri Rama, kreu i FSHF-së gjeti rastin të falenderojë kreun e Qeverisë për mbështetjen e dhënë për ekipin, sidomos në momente të vështira, referuar këtu ndoshta reagimet që pasuan disfatën me Serbinë në “Elbasan Arena”.

“Dua t’ju falenderoj nga zemra për gjithçka ke bërë në ato momente kur ekipi ndoshta ndjeu se shumëkush po e linte. Ju falenderoj nga zemra për vizitat e shumta në kampin e ekipit kombëtar jo me protokoll, jo me media jo për bujë, por për të na mbështetur dhe për të na thënë që ne mundemi. Sot është festë dhe unë dua vetëm të falenderoj”, 

Top Channel