Mediat e huaja: Shqipëria hyn në histori

12/10/2015 08:30

Të gjitha mediat e huaja sportive i kanë bërë jehonë lajmit të kualifikimit të Shqipërisë në fazën finale të Euro 2016, duke vënë theksin në faktin se kjo është hera e parë që kombëtarja jonë do të luajë në një kompeticion të madh.

“La Gazzetta dello Sport” shkruan se “kombëtarja e drejtuar nga Gianni de Biasi e ka për herë të parë” kualifikimin në një Europian apo Botëror.

Faqja sportmediaset.it përqendrohet në deklaratat e trajnerit italian, i cili pas ndeshjes tha se “ata që qeshnin me idetë e tij para 3 vitesh, tashmë festojnë”.

Ndërkohë, gazeta spanjolle AS shkruan se “Europiani po i hap dyert një kombi pa histori në futboll, por që është përmirësuar shumë me ardhjen në pankinë të trajnerit De Biasi”.

Francezja “L’Equipe” publikon një artikull të shkurtër, ku thekson se “Shqipëria, që kurrë më parë nuk ka luajtur në Botëror apo kompeticion kontinental, u kualifikua për në Europian”.

“Shokët e Lorik Canës arritën të mundnin Armeninë dhe lanë pas në klasifikimin e grupit Danimarkën”, shkruan “L’Equipe”.

Top Channel