Duka: Të tejkalojmë emocionet. Me Serbinë na mposhti euforia

10/10/2015 20:55

Kombëtarja shqiptare ndodhet në Armeni, ku të dielën në orën 18:00 do të luajë kundër vendasve në ndeshjen e vendimtare për kualifikimin direkt në Francë 2016.

Së bashku me skuadrën dhe stafin teknik, në Jerevan kanë mbërritur edhe drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, mes tyre edhe vetë Armand Duka.

Në një intervistë telefonike me edicionin qendror informativ në Top Channel, kreu i federatës shprehet se disavantazhi i kuqezinjve përballë armenëve vendas është ngarkesa emocionale.

“Është një sfidë e ngarkuar emocionalisht, krahasimisht me kundërshtarin, shumë më e ngarkuar. Shqipëria luan për kualifikim, ndërsa kundërshtari nuk ka asgjë për të humbur. Kemi më shumë ngarkesë emocionale dhe ne vijmë pas një disfate në shtëpi. Ngarkesa emocionale janë më shumë nga ne, por ky është futbollit dhe duhet të kalohen edhe ngarkesat emocionale”, tha Duka.

Duka hedh poshtë kritikat që qarkullojnë në disa media mbi organizimin e ndeshjes me Serbinë në “Elbasan Arena”.

“Të gjithë që ishin në stadium kanë qenë tifozë të zjarrtë shqiptarë. Ata e mbështetën shumë skuadrën, ndoshta më shumë se ç’duhet duke i dhënë më shumë eufori që skuadra të shkonte përpara në minutat e fundit”, tha ai.

Në analizën e kreut të FSHF-së, humbja me Serbinë mbërriti si shkak i euforisë dhe përpjekjet për të mbyllur kualifikimin në ndeshjen me Serbinë.

“Të shkosh përpara me një skuadër që ka ato kualitete, është gabim dhe u ndëshkuam. Mbase duhej të ishim më të qetë dhe të kishim pranuar atë barazim”, tha ai.

Ndërkohë, në komunikim jozyrtar me gazetarët që e shoqërojnë dhe stafin, trajneri kuqezi, Gianni De Biasi ka shprehur vetëbesim dhe ka kërkuar qetësi.

“Rrini të qetë, jam i sigurtë dhe e kam të qartë atë që do të bëjmë nesër”, mësohet të ketë dhënë ai.

Sa i përket formacionit, skuadra është thuajse e plotë. Kundër Armenisë Andi Lila për shkak dëmtimi dhe Ansi Agolli për kartona do të mungojnë, ndërkohë që është në mëdyshje edhe pjesëmarrja e Memushajt.

Top Channel