Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski ftoi udhëheqësit politikë të partive kryesore të tejkalojnë interesat e ngushta partiake dhe të forcojnë bashkëpunimin mes vete për të tejkaluar krizën aktuale në të cilën është zhytur vendi.

Ai tha se Maqedonia nuk është protektorat, ndaj dhe bëri thirrje që sfidat me të cilat përballet vendi, të zgjidhen në mënyrë të pavarur dhe me konsensus mes palëve.

“E vlerësojmë lartë ndihmën e miqve tanë ndërkombëtar në këto momente për të tejkaluar krizën politike. Kjo për ne është shprehje e miqësisë dhe bashkëpunimit që kemi. Megjithatë, nuk duhet të lejojmë që kjo situatë të vijojë pafundësisht, por duhet të jemi të bashkuar rreth interesave kombëtare e shtetërore. Maqedonia është krijuar për të qenë shtet dhe jo protektorat”, Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Thirrjet për bashkëpunim dhe konsensus, Veljanoski i ka bërë gjatë fjalës së tij të mbajtur në akademinë solemne të organizuar nga Kuvendi me rastin e 11 Tetorit që njihet si dita e kryengritjes maqedonase. Megjithatë, në këtë ceremoni kryeparlamentarin maqedonas e shoqëronin vetëm bashkëpartiakët e tij dhe nuk kishte asnjë përfaqësues nga subjektet tjera politike.

“Qeveria i ka detyrat e veta, por edhe opozita ka pjesën e saj. Qëllimi i pushtetit dhe opozitës duhet të jetë një – ai është atdheu Maqedonia.  Të gjitha veprimet tona peshohen sipas këtij qëllimi”, shtoi Veljanovski.
  
Kryeparlamentari maqedonas kërkoi angazhim më të madh për integrimin e vendit në NATO dhe BE. Më tej, ai tha se vendi ka nevojë për forcimin e ekonomisë, demokracisë dhe bashkëjetesës mes të gjitha kombeve që jetojnë në Maqedoni.

Top Channel