Spanja dhe Zvicra sigurojnë kualifikimin; Austria ndëshkon Malin e Zi

10/10/2015 00:00

Spanja ka mposhtur lehtësisht 4-0 Luksemburgun mbrëmjen e së premten duke siguruar biletën për në Euro 2016.

Skuadra e Del Bosques arriti të shënojë një gol në pjesën e parë me Santi Cazorla vetëm 3 minuta nga fundi i kësaj pjese. Në 45 minutat e dyta ata shënuar edhe 3 herë të tjera ku dy gola u shënuan nga Francisco Alcacer, ndërsa shënoi sërish edhe Cazorla. Në këtë takim Del Bosque u detyrua të bënte dy zëvendësime të detyruara, pasi David Silva dhe Morata mbetën të dëmtuar që në pjesën e parë.

Në dy ndeshjet e tjera të grupit C, Ukraina mori një fitore me mjaft vlera në Maqedoni me rezultatin 0-2, ndërsa Sllovakia pësoi një humbje surprizë në shtëpi nga Bjellorusia që fitoi 0-1.

Kjo humbje mund t’i kushtojë sllovakëve pasi aktualisht ata gjenden në vendin e dytë, por me pikë të barabarta me Ukrainën, e cila do të luajë ndeshjen e fundit me Spanjën, ndërsa Sllovakia me Luksemburgun.

Me nga një gol në secilën pjesë, Anglia siguroi fitoren e nëntë në po kaq ndeshje në këto eliminatore, duke mposhtur 2-0 Estonin. Ndërsa Zvicra arriti një fitore të thellë, 7-0, ndaj modestëve të San Marinos, duke siguruar kualifikimin. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Sllovenia dhe Lituania ndanë nga 1 pikë, pasi ndeshja u mbyll 1-1. Megjithatë, sllovenët e kanë të siguruar vendin e tretë, pasi ndodhen 3 pikë para Estonisë dhe nëse do të humbasin në ndeshjen e fundit golavarazhi më i mirë i çon në play off.

Mbrëmjen e së premtes u luajtën edhe 3 ndeshjet e grupit G, ku Rusia fitoi 1-2 në Moldavi; Lihtenshteini u mposht 0-2 nga Suedia, ndërsa Mali i Zi u ndëshkua në minutat shtesë nga Austria, e cila edhe pse ishte e kualifikuar nuk toleroi, duke fituar 2-3. Me këtë humbje Mali i Zi i shuan shpresat për vendin e tretë, pasi kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u luajtur ballkanasit gjenden 4 pikë pas Suedisë së vendit të tretë.

Top Channel