Gafa në mbrojtje, shkak i humbjes së Shqipërisë

09/10/2015 00:00

Momenti që vendosi humbjen e Shqipërisë, të enjten përballë Serbisë, ka qenë ai i një topi të lartë, që ka vendosur mbrojtjen shqiptare dhe sulmin serb në një situatë “një kundër një”, me të paktën një lojtar shqiptar jashtë pozicionit.

Një situatë që nuk duhet të ndodhë dhe, që trajnerët ua ngulisin në mendje qysh fëmijë futbollistëve të ardhshëm. Te rasti i golit të parë të Serbisë shihet qartë, që përballë Ljajiç ishte vetëm Gjimshiti, i cili nga hutimi i dha mundësinë mesfushorit të Interit të kapë të papërgatitur mbrojtjen tonë, e t’i japë mundësinë Kolarovit të shënojë.

“Trajneri na dha sinjalin që te zona e Ansi Agollit të qëndronim në pozicion dhe e përsërita dy-tri herë, ndoshta jo mjaftueshëm, ndaj dhe e marr edhe si përgjegjësi timen, sepse duhej të isha treguar më këmbëngulës që t’i mbaja afër vetes dhe të mos rrezikonim në kundërsulm. Kjo dëshirë e madhe për ta fituar ndeshjen është edhe përgjegjësi e imja”, tha kapiteni Cana.

Pas ndeshjes, edhe trajneri De Biasi deklaroi në një farë mënyrë se, ishte gabimi i mbrojtjes, që Shqipëria pësoi humbjen e dytë radhazi në minutat e fundit.

“Besoj se kur jemi në minutat e fundit duhet të kemi më shumë kujdes duke mos i dhënë hapësira kundërshtarit. Në dy rrethana të tjera ata na falën, por pavarësisht kësaj ne nuk arritëm që të ndreqnim gabimet tona. Ekipi ndikohet nga publiku, por ajo që duhej të bënim, ishte që të merrnim këtë pikë të vyer, e që do të ishte si ar i çmuar për ne. Vazhdojmë të ndjekim instiktet dhe jo arsyen. Skuadra duhet të jetë më shumë sulmuese, por këtë duhet ta bëjnë sulmuesit dhe jo lojtarët e mbrojtjes. Kjo, sepse kështu krijohet çekuilibrim në skuadër”, tha trajneri italian De Biasi.

Zhgënjimi përballë mijëra tifozëve dhe gabimet trashanike, që bëjmë në fundin e ndeshjes, nuk kanë kaluar pa u diskutuar në ambientet e kombëtares, por këtë herë nga sa informacion ka rrjedhur nga brenda dhomave të zhveshjes, tonet kanë qenë pak më të ngritura se zakonisht.

Top Channel