Blatter apelon pezullimin 90-ditor të Komitetit të Etikës

09/10/2015 00:00

Presidenti në largim i FIFA-s, Sepp Blatter do të apelojë pezullimin 90-ditor të dhënë ndaj tij nga organizmi më i lartë qeverisës i futbollit botëror.

Blatter është pezulluar pas hetimeve të zhvilluara nga Komiteti i Etikës së FIFA-s, mbi akuzat ndaj tij për korrupsion. Zvicerani 79-vjeçar u pezullua të enjten, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm Jerome Valcke, si dhe zëvendëspresidentin Michel Platini.

Ndërkaq, FIFA ka marrë një kërkesë nga Federata angleze FA për të mbajtur një takim emergjent për të diskutuar zgjedhjet presidenciale të shkurtit të vitit të ardhshëm.

Platini, kandidati i preferuar i britanikëve në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen për të zëvendësuar Blatterin, do ta kundërshtojë këtë vendim “në mënyrën e përshtatshme dhe në kohën e përshtatshme”.

Këshilltari më i afërt i Blatterit, Klaus Stohlker, tha se “kreu i FIFA-s e ka dorëzuar apelimin në Komitetin e Apelit të këtij organizmi. E ka bërë këtë për të mbrojtur pozicionin e tij, sepse është i sigurt që nuk do të kapet fajtor në asnjë akuzë”.

Gjithsesi, shumë të tjerë e kanë vënë në dyshim dëshirën e Blatterit për të qëndruar në postin aktual, madje ka nga ata, si ish-kreu i Federatës angleze David Bernstein, i cili është shprehur se “Blatteri është shumë budall, që ka qëndruar kaq gjatë në pushtet”.

Top Channel