FSHF: Faleminderit për një ndeshje pa incidente

09/10/2015 11:15

Sfida e eliminatoreve të Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë u zhvillua në mënyrën më normale të mundshme, kjo edhe falë masave të marra nga të gjitha institucionet në vend për organizimin e saj, por edhe sjelljes së tifozerisë shqiptare. Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një komunikate për shtyp, kërkoi të falenderojë të gjithë këta faktorë që ndihmuan në arritjen e këtij objektivi.

“FSHF kërkon të falenderojë të gjithë opinionin publik, tifozët e zjarrtë brenda dhe jashtë Shqipërisë, banorët e Tiranës dhe Elbasanit, që na mbështetën në përpjekjet tona për organizimin perfekt të kësaj ndeshjeje të vlerësuar me një shkallë të lartë vështirësie. Një falenderim i veçantë vjen për shtetin shqiptar, i cili gjatë gjithë kësaj kohe na qëndroi pranë dhe na ndihmoi me strukturat e tij që gjithçka të shkonte sa më mirë dhe kjo e bëri më të lehtë detyrën tonë. Asnjë incident nuk ndodhi në Elbasan dhe kjo meriton vlerësimin maksimal. Një kontribut të jashtëzakonshëm kanë dhënë edhe qytetarët e Tiranës dhe Elbasanit, sjellja e të cilëve ishte qytetare, pavarësisht vështirësive të krijuara pas bllokimit të disa akseve rrugore”, lexohet në komunikatën e FSHF-së.

Federata Shqiptare e Futbollit e mbylli komunikatën e saj me një falenderim të veçantë në drejtim të tifozëve: “Jo rastësisht i lamë në fund tifozët tanë të mrekullueshëm dhe të gjithë ata shqiptarë që na kanë mbështetur dhe qëndruar pranë gjatë këtyre eliminatoreve. Edhe këtë radhë ata ishin të mrekullueshëm në mënyrën sesi performuan, sesi e ndërtuan koreografinë, se si u sakrifikuan pa u tërhequr as nga moti i keq. Na vjen keq që nuk mundëm dot t’i kënaqnim me rezultat dhe për këtë u jemi borxhlinj. Por kjo nuk do na bëjë të ulim kokën, përkundrazi. Nga humbja duhet të nxjerrim mësime që në të ardhmen të jemi më të fortë dhe më efikasë”.

Top Channel