Eliminatoret e Botërorit, Brazili dhe Argjentina e nisin me humbje

09/10/2015 09:10

Brazili dhe Argjentina kanë qenë surpriza e ditës së parë të eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, në zonën e Amerikës Latine.

Pesë herë kampionët e botës humbën 2-0 ndaj Kilit në transfertë, ndërsa finalistët e Botërorit të fundit u mundën 0-2 në shtëpi ndaj Ekuadorit.

Kili, fituesja e freskët e Kupës së Amerikës, pasi mundi në finalen e para 3 muajve Argjentinën, mposhti edhe të madhen tjetër të Amerikës së Jugut, Brazilin. Golat e Eduardo Vargas (72’) dhe Alexis Sanchez (88’) i dhanë fitoren kilianëve.

Ndërkohë, Argjentina pa Messin ishte e humbur në fushë. Pa ide dhe pa mundur dot të kontrollojë ndeshjen, vuajti shumë ndaj Ekuadorit, ekip që arriti një fitore historike në Buenos Aires ndaj bardhekaltërve.

Në ndeshjet e tjera, Uruguaj fitoi në La Paz ndaj Bolivisë me rezultatin 0-2. Kjo ishte fitorja e parë e të kaltërve në kryeqytetin bolivian, aty ku luhet në 3600 metra lartësi mbi nivelin e detit; Kolumbia fitoi 2-0 ndaj Perusë dhe Venezuela u mund në shtëpi 0-1 nga Paraguaji.

Top Channel