Portugalia “dhuratë” Shqipërisë, mposht Danimarkën 1-0

08/10/2015 23:20

Pavarësisht humbjes ndaj Serbisë, Shqipëria i ka ende të gjitha mundësitë për të shkuar direkt në Euro 2016, pasi Portugalia mposhti 1-0 Danimarkën, rivalen direkte të kombëtares sonë.

Luzitanët e dominuan takimin, ndërsa goli i fitores për ta dhe që i mban ende gjallë shpresat e Shqipërisë, u shënua nga Joao Moutinho në minutën e 66 të ndeshjes.

Me këtë fitore, Portugalia është tashmë e kualifikuar në Euro 2016, madje ka siguruar edhe vendin e parë me 18 pikë, ndërsa Danimarka ndodhet e dyta në grup me 12 pikë, një më shumë se Shqipëria, por danezët i kanë përfunduar ndeshjet e tyre në grup.

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka edhe një ndeshje për të mbyllur këto eliminatore dhe ka mundësinë më të mirë për t’i finalizuar ato me kualifikimin historik, aq të pritur për të gjithë. Ditën e diel Shqipëria do të luajë në Armeni ndaj vendase dhe një fitore në këtë ndeshje do të thoshte kualifikim direkt për në Francë, ndërsa çdo rezultat tjetër e çon kombëtaren tonë në fazën e play off-it.

Top Channel