Shqipëri-Serbi, Posta Shqiptare emeton pullë për 85-vjetorin e FSHF-së

08/10/2015 00:00

85 vite më parë, në vitin e largët 1930, Mbreti Zog firmosi dekretin për themelimin e Federatës Sportive, pjesë e së cilës do të ishte edhe FSHF-ja, e cila po atë vit organizoi edhe kampionatin e parë kombëtar të futbollit.

Vetëm dy vite më vonë, në 1932-shin, FSHF do të anëtarësohej në FIFA, ku mori edhe të drejtën për të marrë pjesë nëpër organizime të futbollit botëror, pas të cilës janë zhvilluar shumë ndeshje futbolli në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.

Më pas, në vitin 1945 është krijuar ekipi kombëtar shqiptar, që vetëm në vitin pasardhës mundi të fitonte Lojërat Ballkanike.

Shqipëria është një nga anëtaret themeluese të UEFA-s, pjesë e së cilës u bë në vitin 1954. Pjesëmarrja e kombëtares kuqezi në kualifikueset e Europianit 1964 shënon edhe të parën përfaqësim zyrtar të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ndërsa në vitin 1965 bëhet pjesë për herë të parë e kualifikueseve të Botërorit të Anglisë.

Deri në vitet 1980, pjesëmarrja e kuqezinjve tanë nuk ka qenë e rregullt në kualifikueset e europianëve apo botërorëve, ndërsa duke nisur nga viti 1982 e në vazhdim, Shqipëria është bërë pjesëmarrëse e rregullt e këtyre evenimenteve.

Ndërkohë, viti 1992 shënoi edhe të parin vit, kur FSHF nisi të funksionojë si shoqatë e pavarur dhe, bazuar në statutin e saj mbledh Asamblenë e Përgjithshme, zgjedh Komitetin Ekzekutiv dhe Presidentin e saj. Një gjë që vijon edhe në ditët e sotme, kur FSHF është shndërruar tërësisht në institucion modern, i ngritur sipas parimeve të FIFA-s dhe UEFA-s dhe organizmave të tjerë të rëndësishëm sportivë.

Vetëm në 2015-n, plot 85 vite nga krijimi i FSHF-së, Posta Shqiptare ka vendosur të emetojë pullën postare në kujtim të këtij përvjetori, gjë që përkon edhe me një ditë tepër të rëndësishme si kjo e sotmja, kur Shqipëria pritet të zhvillojë një takim historik ndaj Serbisë, mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”, një ndeshje me një rëndësi të veçantë pasi mund të ndryshojë historinë e futbollit shqiptar. Në rast fitoreje Shqipëria kualifikohet drejtpërdrejt në Europianin e 2016-s që do të zhvillohet në Francë.

Top Channel