Trajneri i Portugalisë: Duam fitore për vendin e parë

08/10/2015 00:00

Shqipëria do të luajë sot në 20:45 minuta në “Elbasan Arena” ndaj Serbisë, një ndeshja historike me një interes të jashtëzakonshëm, por në të njëjtin orar në Braga, Portugalia do të ndeshet me Danimarkën edhe kjo një ndeshje me rëndësi të madhe për kombëtaren tonë.

Një fitore e Shqipërisë mbrëmjen e sotme dhe një e Portugalisë së Ronaldos ndaj Danimarkës do të thoshte kualifikim direkt për kombëtaren kuqezi.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos garanton se skuadra e tij do të kërkojë fitoren ndaj Danimarkës, për të siguruar kualifikimin në Francë 2016. 60-vjeçari siguroi se futbollistët e tij do të japin maksimumin për të lumturuar të gjithë tifozët portugezë, sidomos ata që do të kenë në stadiumin e Bragës.

“Synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen, duke luajtur ashtu si dimë, me një futboll të bukur dhe ofensiv. Duhet ta tregojmë në fushën e blertë se e meritojmë të fitojmë”, tha Santos.

Ai u përgjigj me ironi kur u pyet për pozicionin që Cristiano Ronaldo duhet të ketë në fushë.

“Pozicioni më i mirë për Ronaldon është ai që i jep mundësi të shënojë. Ne do të luajmë me sulmues, që nuk do të kenë një pozicion fiks. Pra njëri do të jetë si pykë, ndërsa dy sulmuesit e tjerë do të jenë anësorë klasikë”, u shpreh trajneri 60-vjeçar.

Top Channel