Agjencia shtetërore greke e lajmeve “ANA” konfirmon se kryeminsitri serb Aleksander Vuçiç ka pasur një bisedë telefonike me homologun e tij grek Aleksis Tsipras, gjatë të cilës e ka uruar për fitoren e tij të dytë në zgjedhjet parlamentare të 20 shtatorit.

Por në këtë bisedë, thekson agjencia, Vuçiç i ka kërkuar kryeministrit grek që Athina të votojë kundër porpozimit për integrimin e Kosovës në UNESCO.

Tekstualisht në komunikatën e lëshuar nga zyra e shtypit e qeverisë serbe thuhet se, “të dy kryeministrat diskutuan të gjitha çështjet rajonale, duke e vënë theksin sidomos tek çështja e Kosovës dhe kryeministri Vuçiç i është lutur zotit Tsipras të mos votojë në favor të integrimit të saj në këtë organizëm”.

Siç dihet, sesioni i 197-të i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s në Paris fillon sot dhe do të përfundojë më 22 tetor. Gjatë këtij sesioni, pritet të vihet në votë dhe propozimi i paraqitur nga Shqipëria për anëtarësimin e Kosovës.

Sipas së njëtës komunikatë për shtyp, biseda telefonike mes dy kryeministrave ishte e gjatë, gjithëpërfshirëse dhe dy liderët kanë analizuar edhe çështjet aktuale si emigracioni, për të cilën është rënë dakord që të ketë kontakte më të shpeshta për koordinim më të mirë të politikave mes dy vendeve.

Ata diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të tij. Të dy kryeministrat kanë rënë dakord që “miqësia tradicionale Greqi-Serbi të jetë baza për marrëdhëniet e ardhshme ekonomike dhe politike mes dy vendeve”.

Tsipras ka pranuar ftesën e Vuçiç për të vizituar Serbinë në periudhën e ardhshme, një vizitë që sipas palës greke do të zhvillohet në tre-katër muajt e ardhshëm.

Top Channel