Ndeshja me Serbinë, Kosova vishet kuqezi

07/10/2015 16:05

Flamujt kuqezi janë vendosur në pallate, vitrina e rrugë të kryeqytetit të Kosovës. Entuziasmi i qytetarëve për këtë ndeshje është më i madh se kurrë.

Mbrëmjen e së enjtes sheshet e qyteteve të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt pritet të mbushen plot me tifozë të kombëtares që do ta ndjekin ndeshjen në ekrane të mëdha.  

Përjashtim duket se bën Mitrovica, ku sipas një kompanie që kishte parashikuar ta bënte të njëtën gjë në Mitrovicë, nuk është lejuar të vendosë ekranin e  madh. Të kontaktuar nga Top Channel organizatorët thanë se shkak është pesha e ndeshjes dhe shmangia e ndonjë tensioni të mundshëm mes shqiptarëve dhe serbëve të qytetit të ndarë.

Ndërkohë që edhe në baret ku ndiqen evenimente të tilla sportive në mënyrë të oganizuar ka kohë që janë mbaruar prenotimet.

“Menjëherë pas lojës me Portugalinë kanë filluar rezervimet te ne edhe qysh para fundjavës jemi rezervuar, nuk kemi asnjë vend të lirë. Do t’i kemi diku rreth 250 persona kur luan Shqipëria me Serbinë. Loja me Serbinë kuptohet që e ka rritur një entuziazëm më shumë, është dashur fatkeqësisht t’i anulojmë disa rezervime për shkak se nuk kemi kapacitet më shumë”, thotë pronari i një lokali.

Për tifozët e kombëtares shqiptare në Kosovë, më e rëndësishme është që nesër të fitohet duke u shprehur skeptik nëse mund të ketë tensione.

Ndërkohë, shumë tifozë kanë udhëtuar drejt shqipërisë të mërkurrën, mes tyre dhe grupi I tifozeve të Prishtinës “Plisat”.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri një ditë para ndeshjes së madhe e ka vlerësuar atë si historike.

“Unë besoj dhe shpresoj se Elbasan Arena do të ofrojë një spektakël të magjisë së futbollit, ndërsa ne duhet që në këtë ndeshje të dëshmohemi si popull dhe si sportistë të vërtetë”, ka thënë Vokrri.

Top Channel