Shqipëri-Serbi, Vuçiç: Do të marr pjesë pasi të shoh kush do jetë i pranishëm

06/10/2015 12:40

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të bisedojë në telefon me kryeministrin Edi Rama lidhur me ndeshjen, e më pas do të vendosë nëse do të jetë në “Elbasan Arena” ose jo.

Vuçiç ka thënë se nuk është i shqetësuar për sigurinë e tij, por për atë të futbollistëve serbë.

Duket se problemi kryesor, për ta parë ndeshjen ose jo, do të jetë mundësia e pranisë së ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk kam vendosur ende. Po pres të shoh kush do të jenë të ftuarit. Është tjetër gjë kur ju bisedoni për të qenë të pranishëm, dhe tjetër kur flitet edhe për njerëz të tjerë. Do të pres informacionet nga kabineti i zotit Rama dhe nga vetë kryeministri i Shqipërisë, e më pas do të marr një vendim”, ka thënë Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Gjatë një takimi me pushtetin lokal në qytetin e Smederevës, ai u ka thënë gazetarëve se nuk ka pasur kohë të merret me çështje topi. Vuçiçit nuk i interesojnë reagimet negative në Serbi.

“Sinqerisht, aspak nuk më intereson çfarë mendon dikush, apo kush mendon diçka”, tha Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç ka paralajmëruar se do të vizitojë futbollistët serbë dhe do të takohet me ta para ndeshjes.

Top Channel