Mercedesi, pro idesë për skuadra me 3 makina në Formulën 1

06/10/2015 11:45

Te Mercedesi pëlqehet ideja që skuadrat e Formulës 1 të kenë nga 3 makina. Ai që e thekson këtë është vetë Toto Wolff, i cili theksoi se një gjë e tillë është një zgjidhje optimale për Formulën 1. Kjo ide u hodh në ambientet e këtij kampionati duke marrë shkas nga situata e Red Bullit.

Diter Mateschitz nuk e përjashtoi mundësinë që të largojë Red Bullin dhe Toro Rosson nga Botërori i Formulës 1, që do të thotë se në vitin 2016 në pistë do të jenë 18 makina dhe këtu përfshihen edhe ato të skuadrës Haas F1.

“Nëse një skuadër largohet, atëherë makina e tretë për çdo skuadër është një zgjidhje shumë e mirë. Mua personalisht kjo ide më pëlqen shumë. Megjithatë, ajo që preferoj më shumë është që Red Bulli të qëndrojë në Formulën 1, ndërkohë që çdo skuderi të garojë me 3 pilotë. Sigurisht, për këtë çështje ka shumë zgjidhje, por në këtë moment ajo që ka më shumë rëndësi është që të mbajmë Red Bullin në këtë sport”, tha Wolff.

Red Bulli prej kohësh është vënë në kërkim të një furnizuesi me motorë, duke qenë se në fund të këtij sezoni do të ndërpresë bashkëpunimin me Renault. Fillimisht u fol për një marrëveshje me Mercedesin, por ky i fundit hoqi dorë nga ky projekt, duke bërë që Ferrari të konsiderohet si zgjidhja e vetme e problemit për skuadrën austriake. Wolff theksoi se refuzuan mundësinë për bashkëpunimin me Red Bullin, pasi prioriteti i Mercedesit është paraqitja sa më e mirë e pilotëve të tij në pistë.

Top Channel