Vrasja e policit në Shkodër, psikiatrja: Autori ishte depresiv i hershëm

05/10/2015 00:00

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë kreu i FNSH-së së Shkodrës e më pas autori i vrasjes së tij, në fshatin Oblikë të Shkodrës ka pllakosur heshtja. Jashtë kameras, banorët thonë se, orët e operacionit nuk do t’i harrojnë lehtë.

Në shtëpinë ku jetonte i vetëm 56-vjeçari Arishta, tashmë kanë ngelur vetëm gjurmët e një nate më parë. Gëzhojat dhe era e fortë e armatimit të përdorur janë ende të pranishme.

Në familjen Sherbela nuk gjendet askush. Aty kulmoi gjendja e rënduar mendore e Ruzhdi Arishtës, i cili njihej në zonë edhe për një sërë problemesh me fqinjët. Plagosja e 21-vjeçarit, Besar Sherbela, për një gardh ishte zanafilla, që më pas do të shkaktonte dy viktima të tjerë.

Në Qendrën e Shëndetit Mendor, në Shkodër, psikiatrja Valdete Hoxha tregon depresionin e hershëm të pacientit të saj.

Sipas mjekes, Ruzhdiu mund të dëmtonte veten dhe jo të tjerët.

Ajo do të kishte dashur, që atë natë të negocionte me Ruzhdiun, me shpresën që do ta shmangte të gjithë tragjedinë.

Pyetjes nëse Ruzhdi Arishta duhej mbajtur i shtruar në Psikiatri, mjekja i përgjigjet me argumentin se “nuk ishte në gjendje aq të rënduar. Pastaj, edhe ligji për shëndetin mendor nuk e parashikon”.

Top Channel