Seria A, barazon Interi, Manaj luan 20 minuta

04/10/2015 17:20

Interi nuk ka mundur të marrë më shumë se një barazim 1-1 në fushën e vështirë të Sampdorias në ndeshjen e vlefshme për javën e 7 të Serisë A.

Pjesa e parë është mbyllur pa golave, pavarësisht rasteve nga të dyja ekipet. Me fillimin e pjesës së dytë vendasit arritën të kalonin në avantazh me anë të Muriel, në minutën e 51. I gjendur në disavantazh të një goli, Mancini vendosi të bëjë ndryshime në formacion dhe në minutën e 71 hodhi në fushën e lojës edhe talentin shqiptar, Manaj, i cili e bëri më të rrezikshëm sulmin zikaltër.

Interi barazoi në minutën e 76 me kroatin Perisic, ndërsa pak minuta më vonë kryesori i takimin i mohoi kryesuesve të Serisë A edhe një 11-metërsh të pastër, pas një ndërhyrje ndaj Manajt. Ndeshja u mbyll 1-1 dhe Interi me pikën e fituar ngjitet edhe një herë në vendin e parë të renditjes, por Fiorentina ka një ndeshje më pak, të cilën do ta luajë në mbrëmje ndaj Atalantës.

Të dielën, Roma u rikthye te fitorja, duke triumfuar 2-4 në Palermo. Ndërsa Udinese-Genoa u mbyll në barazim 1-1.

Top Channel