Superiore, Vllaznia merr pikën e parë ndaj Kukësit; në pritje të derbit të Tiranës

03/10/2015 00:00

Pas 5 humbjeve radhazi, më në fund Vllaznia ka arritur të marrë pikën e parë në Kategorinë Superiore.

Shkodranët e drejtuar nga Armir Grima morën një barazim 1-1 me Kukësin, falë golit të Sefës në sekondat e fundit të ndeshjes.

Përveç rezultatit, ajo që u jep më shumë shpresë tifozëve shkodranë ishte loja dhe grinta, që lojtarët e Vllaznisë shfaqën përballë nënkampionëve të Shqipërisë.

Barazimi 1-1 në stadiumin e Pukës ishte një rezultat i mirë edhe për Kukësin, i cili mori pikën e parë dhe shënoi golin e parë në një ndeshje jashtë fushës së tij.

Java e 6 e Superiores do të vazhdojë këtë të shtunë me derbin kryeqytetas, Partizani – Tirana, i cili do të nisë të luhet në orën 20:45, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në paketën “Supersport” të platformës “Digitalb”.

Top Channel