Ish-sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Gëzim Ostreni, dhe deputeti i deridjeshëm i kësaj partie, Zulfi Adili, të shoqëruar nga disa ish-anëtarë të partisë shqiptare në pushtet BDI, kanë prezantuar të shtunën nismën për themelimin e një subjekti të ri politik në Maqedoni, me emrin “Uniteti”.

Në një konferencë për media, Ostreni tha se është shkëputur nga BDI-ja dhe ka marrë nismën për formimin e partisë së re, për shkak të rritjes së pakënaqësisë së shqiptarëve nga politikat e subjekteve, që kanë aktualisht në Qeveri dhe Parlament.

“Partitë politike parlamentare shqiptare, deri tani kanë ofruar dy oferta që karakterizohen me ide të varfra, të kontrolluara nga VMRO-DPMNE-ja, për zhvillimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe tentojnë të pengojnë pluralizmin politik, për të siguruar monopol për vete”, tha Gëzim Ostreni, kreu i partisë “Uniteti”.

Por, pavarësisht kritikave të ashpra në drejtim të subjekteve shqiptare, Ostreni nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me to. Madje, ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me BDI-në, parti të cilës i takonte deri dje.

“Nuk kemi ndonjë arsye, që të përjashtojmë ndonjë parti. Por sigurisht, kjo do të varet nga programet politike dhe zgjedhore”, tha Gëzim Ostreni.

Gëzim Ostreni, i cili ka qenë gjeneral i UÇK-së dhe njihet si njëri nga themeluesit e BDI-së, tha se partia “Uniteti” do të angazhohet për zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë, eliminimin e padrejtësive dhe kultivimin e bashkëjetesës.

“Dëshirojmë që partitë maqedonase ta kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimet e Kushtetutës janë bërë për ta ruajtur Republikën e Maqedonisë në kufijtë ekzistues, në të cilët shqiptarët e shohin veten si qytetarë të barabartë me maqedonasit dhe jo si lypsarë, të cilëve dikush duhet t’ua japë ose jo të drejtat e tyre”, tha Gëzim Ostreni.

Platforma e plotë e “Unitetit” do të publikohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për regjistrimin formal të partisë. Ndërkohë, megjithëse flitej se partisë së re do t’i bashkëngjiteshin edhe funksionarë të tjerë të lartë, që do të shkëputën nga BDI-ja, kjo nuk ka ndodhur në daljen e parë publike të nismëtarëve për themelimin e partisë “Uniteti”.

Top Channel