Francë, stadiumi “Parc des Princes” mund të merret nga sheikët

02/10/2015 13:00

Stadiumi “Parc des Princes” ka mundësi të kalojë në pronësi të sheikëve që drejtojnë skuadrën e Paris Saint Germain. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja franceze “Le Parisien”, përfaqësues të Bashkisë së Parisit kanë zhvilliar bisedime me presidentin e kampionëve të Francës për të diskutuar shitjen e këtij stadiumi mitik, ku PSG luan ndeshjet e saj si skuadër pritëse.

Kërkesa fillestare e përfaqësuesve të bashkisë ishte rreth 100 milionë euro, por sipas “Le Parisien” drejtuesit e klubit francez ende nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. Në të njëjtën kohë, kjo e përditshme bën të ditur se PSG gëzon të drejtën e përdorimit të këtij stadiumi për 30 vjet. Vlen për t’u theksuar se Qatar Sports Investments po mendon të investojë 75 milionë euro për rinovimin e “Parc des Princes” për Kampionatin Evropian të futbollit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Gjithsesi, për momentin çështja e kalimit të pronësisë së këtij stadiumi është në kuadrin e projektit, pasi iniciativa ende nuk ka marrë miratimin e Këshillit Bashkiak të Parisit.

Stadiumi “Parc des Princes” u përurua në vitin 1972 dhe që nga ajo kohë ai u bë vendi i shumë ngjarjeve të rëndësishme për sportin francez, siç ishte finalja e Evropianit të vitit 1984, kur Franca fitoi në finalen ndaj Spanjës.

Top Channel